Bibla flet për parajsën jo me një tablo bosh por me imazhe të spitaktura. Në faqet e fundit të librit të shenjtë parajsa zbulohet si një vend i bukur ku Zoti qëndron me popullin e tij. Aty s’ka dhimbje, as padrejtësi. Por thuhet qartë që në vendin e Zotit nuk hyn çdokush. E midis kategorive të njerëzve që nuk u lejohet të hynë në paqen e Perëndisë janë pikërisht vjedhësit. Bibla e thotë shqip: “Mos u gënjeni, vjedhësit nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë”.
Sado pak besim që ke te Zoti, kjo duhet të të bëjë të ndalësh, e të kontrollosh gjendjen tënde shpirtërore. Lejoi vetes të përballesh me pyetjen: A jam duke vjedhur sot? A kam vjedhur më parë? Se pse ndodh diçka e çuditshme kur flitet për vjedhjen... të shkon në mendje më kollaj jo çfarë ke vjedhur, por çfarë kanë vjedhur. Kjo nuk është shenjë e mirë. Ndërkohë duhet të shqetësohesh më shumë për mëkatin tënd sesa të të tjerëve.
Prandaj, ti që i vë gishtin tjetrit, nuk ke vjedhur vetë? E ti që justifikohesh dukë thënë që ke vjedhur vetëm pak, a nuk sheh se do të kishe vjedhur shumë më tepër, po të të jepej mundësia? Ndërsa tani, si mund të bekojë Zoti jetën tënde, kur në shtëpi ke sende të vjedhura? E si mund t’i afroshesh Zotit, kur në xhepin tënd ke fitimin e pandershëm? E si mund të hysh në parajsë kur shpirti yt është rënduar nga vjedhje?
Qoftë Krishti pasuria juaj. Qoftë parajsa fati juaj. Por ta dini se në qiell nuk hyn asnjë hajdut.