Select your language

Ndoshta keni dëgjuar se si Jozefi dhe Maria kërkuan strehim në Betlehem, por nuk gjetën vend, përveç se në një stallë, aty ku u detyrua të lindte virgjëresha fëmijën e saj të shenjtë. Edhe sot, për ironi, dyert janë të mbyllura ndaj Jezusit, edhe pse shtëpitë janë të zbukuruara me dritat e Krishtlindjes, bredhin e saj, dhe gjithçka tjetër që simbolizon kjo festë. Santa Klausin (një shenjtor që u kujdes për të varfërit) e kanë shndërruar në një plak magjik i cili ia ka zënë vendin Krishtit, ndërsa engjëjt janë përzënë nga elfët, dhe këngët adhuruese janë shkëmbyer me ato që përmbajnë tekste krejtësisht banale.

Edhe pse është normale që festa të shoqërohet me ushqime të veçanta, kur të ngrënit bëhet qëllim në vetvete, atëherë Krishtlindja kthehet në një festë për barkun e jo për Perëndinë. Të mos zëmë në gojë argëtimet e organizuara me dixhej, ku alkoli dhe droga janë bërë menuja e preferuar. Me të drejtë krijohet përshtypje se në mbrëmjet e Krishtlindjes qenka e përligjur shthurja. Gjithçka shoqërohet me emisione televizive bajate ku e vetmja gjë që ka ngelur nga Krishtlindjet është emri.
Edhe në kohët e moçme, për shkak të qëndrimeve të ngjashme, u qortua populli i Zotit me këto fjalë: “Unë i urrej, i përçmoj festat tuaja, nuk ndiej asnjë gëzim në tubimet tuaja. Edhe sikur të më ofroni blatimet tuaja ushqimore, unë nuk do t'i pëlqej as do të shikoj me favor flijimet e falënderimit të kafshëve të majme. Largo nga unë zhurmën e këngëve të tua, sepse nuk dua të dëgjoj muzikën e harpave të tua”.
Me një fjalë, s’ka asgjë të re. Siç festohej atëherë, gjoja për nder të Perëndisë, kështu ndodh dhe sot. Historia veçse përsëritet. Por si duhet të reagojmë? Ndoshta është më mirë të mos e festojmë Krishtlindjen fare?
Detyrim për të festuar Krishtlindjen (si festë në dhjetor) nuk kemi. Çdokush që ka lexuar Biblën e di që kjo s’ishte pjesë origjinale e besimit të krishterë. Mirëpo, nuk dua të çoj ujë në mullirin e atyre që thonë se është gabim të festohet Krishtlindja. Mund të mos jetë e domosdoshme, por as nuk është e gabuar. Etërit tanë në besim nuk ishin pa mend. Duke qenë se lindja e Krishtit ishte një ngjarje shumë e madhe, e vendosën në kalendar për të nxitur një adhurim të veçantë lidhur me misterin e trupëzimit të Zotit tonë. Deri këtu, gjithçka në rregull.
Fakti që shoqëria e sotme e transformon Krishtlindjen në një festë pa Krishtin, s’do të thotë që ne që jemi adhurues të Tij të heqim dorë nga traditat tona të vyera. Këtu ia vlen të përmendësh fjalën e urtë që këshillon: “Mos e flak beben me ujin e vaskës”.
A e dini arsyen e vërtetë përse njerëzit e festojnë Krishtlindjen pa Krishtin? Sepse jetët e tyre janë pa Krishtin! A s’e kuptoni këtë? Kanë një boshllëk. Nuk e njohin dashurinë e Zotit. Jetojnë pa dritën e Perëndisë. Janë në errësirë, siç kemi qenë edhe ne dikur. Më shumë sesa t’i gjykojmë, a nuk duhet të na vijë keq për ta?
Dihet që tregtarët kanë interes të shesin mallrat e tyre në kohë festash, dhe që lokalet shfrytëzojnë të tilla raste gjithashtu. Kjo është normale. Ndërsa roli i kishës, dhe i ndjekësve të Jezu Krishtit në përgjithësi, nuk është të dënojnë botën (se ajo është tashmë e dënuar) aq sa t’u ofrojnë ungjillin e shpresës atyre që janë të pashpresë. Këtë, a e bëjmë dot?